Software Development Academy në bashkëpunim me Qendrën Protik dhe Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe në partneritet me Bashkinë e Tiranës dhe Agjensinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), me datë 5 Korrik zhvilluan orën e parë të programit “Java from Scratch” në Shqipëri dhe njoftuan për edicionet pasuese në muajt në vijim.

Kurset drejtohen nga profesionistë që punojnë në sektorin e IT-së dhe përbëhen nga module të ndryshme, përfshirë trajnimet në grup, seanca individuale, programim live, si dhe orë njohurie rreth burimeve njerëzore, me qëllim përgatitjen për intervistën e parë të punës të një programuesi të ri “Junior”.

Përveç njohurive teknike, pjesëmarrësit mësojnë aspekte të ndryshme të punës së një programuesi, duke përfshirë punën në grup, përdorimin e mjeteve të zhvillimit dhe njohjen me rregullat themelore të metodologjisë AGILE.

SDA Albania

SDA Albania nga Protik ofron kurse si në klasë ashtu edhe në distancë deri në 8 muaj dhe siguron njohuri dhe aftësi thelbësore për të filluar punën e parë si Zhvillues Softuerësh në industrinë e IT-së në tregun shqiptar me paga konkurruese.

Kurset në Shqipëri zhvillohen në bashkëpunim me Qendrën Protik. Falë partneritetit me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), pjesëmarrësit në kurset e organizuara nga SDA Albania nga Protik mund të përfitojnë nga një program i veçantë bursash, ku përfituesit mund të marrin deri në 1500 EUR.

Ekzistojnë 5 kategori bursash me sasi të ndryshme të subvencioneve, përfshirë fondet shtesë për ata që aplikojnë herët, studentët e universitetit me nota mbi 9.0 dhe 9.5, femrat në teknologji, aplikantët që ndodhen jashtë Tiranës, viktimat e tërmetit dhe ata që janë të gatshëm të orientojnë karrierën e tyre drejt sektorit të IT-së.

Software Development Academy, me qendër në Gdynia, Poloni, është ofruesi kryesor i kurseve të zhvillimit të programeve kompjuterike në Evropën Qëndrore dhe Lindore. Kompania ka mbi 6 vjet aktivitet në tregun global të arsimit dhe mbi 9,000 të diplomuar, të cilët kanë kaluar me sukses nga pozicionet e tyre të mëparshme në role teknike në sektorin e IT-së.

Kompania ofron kurse të ndryshme programimi në fusha të tilla si Java, Python, PHP dhe Testim Softuerësh, si dhe teknologji moderne përfshirë dizajnin UX/UI. Për më tepër, SDA ofron edhe trajnime të ndryshme B2B për kodimin, duke u mundësuar kompanive të ndryshme të rrisin kompetencat e punonjësve të tyre.

Për më shumë informacion, ju mund të vizitoni faqen zyrtare të SDA Albania.