Hartimi i Letrës së Motivimit

Letra e Motivimit është, si rregull, dokumenti i parë që një punëdhënës lexon rreth jush. Ekspertët e burimeve njerëzore sugjerojnë strukturimin e letrës si vijon:

Të dhënat personale – Emër, Mbiemër, Adresa, Cel, E-mail dhe Linku i profilit tuaj në Linkedin. (majtas-lart)

Data – Shkruajeni datën njësoj sikur po shkruani një letër biznesi. (djathtas-lart)

Titulli i letrës – Letër Motivimi (qendër)

Të dhënat e marrësit – Emër Mbiemër, Departamenti dhe titulli i pozionit të punës, Adresa. Përfshirja e emrit të personit që mund të marrë letrën tuaj ju bën me tërheqës. Nëse po aplikoni për një pozicion vakant ku nuk jepet ndonjë emër personi për ta kontaktuar, inkurajohet të kërkoni në internet, ose në pamundësi për ta gjetur të telefoni kompaninë dhe të pyesni për emrin e menaxherit të departamentit ku po aplikoni.

Përshëndetja – I/E nderuar Z./Znj. Nëse nuk keni një emër kontakti inkurajohet të drejtoheni në formën – Të nderuar punëdhënës të ardhshëm.

Paragrafi informues – Tregoni se si jeni informuar lidhur me këtë pozicion vakant (shpallje, referim, etj).

Paragrafi i hyrjes – Hyrja e letrës së motivimit duhet të jetë tërheqëse. Klikoni këtu për tu njohur me 8 mënyra mbreslënëse.

Paragrafët vijues (2-3) – Përqëndrohuni tek eksperiencat dhe aftësitë tuaja që ju bëjnë kandidat të përshtatshëm dhe konkurrues për pozicioinin ku aplikoni. Më pas ndaluni tek edukimi, trajnime apo seminare tuaja. Shtoni çdo gjë tjetër që rrit ndikimin tuaj profesional tek lexuesi.

Paragrafi i parafundit – flisni për disponueshmërinë tuaj për tu kontaktuar lidhur me mundësinë e diskutimit mbi aplikimin tuaj. Tregoni gadishmërinë tuaj për të pritur një përgjigje pozitive.

Falenderime – Falënderojeni personin të cilit i drejtoheni për kohën e shpenzuar në leximin e letrës tuaj.

Nënshkrimi – Tregoni origjinalitetin tuaj duke e nënshkruar letrën.