Empower Zhvillim Personal dhe Profesional Komunikim Fjala ju fuqizon ose ju fundos! Si të jeni të patëmetë me...

Fjala ju fuqizon ose ju fundos! Si të jeni të patëmetë me fjalët tuaja?

Fjala nuk është thjesht një tingull, apo një simbol i shkruar. Fjala është forcë; ajo është fuqia që ju keni për të shprehur dhe për të komunikuar, për të menduar dhe për të krijuar kështu ngjarjet në jetën tuaj.

Fjala është aq e fuqishme saqë vetëm një fjalë mund të ndryshojë një jetë, ose të shkatërrojë jetën e miliona njerëzve. Disa vite më parë një burrë në Gjermani (Hitleri), me keqpërdorimin e fjalës, manipuloi një vend të tërë. Ai i udhëhoqi ata në një luftë botërore vetëm me fuqinë e fjalës së tij. Ai i bindi të tjerët që të kryenin veprimet më të dhunshme shtazarake. Ai e aktivizoi frikën e popullit me fjalën e tij dhe krejt si një shpërthim i fuqishëm, ata filluan të vrasin dhe lufta nisi në mbarë botën. Të gjithë njerëzit e një pjese të botës shkatërruan një pjesë njerëzish të tjerë, sepse ata frikësoheshin prej njëri-tjetrit.

Mendja njerëzore është si një terren pjellor, ku vazhdimisht farat e mbjella nxjerrin filiza dhe pemë. Farat janë opinionet, idetë dhe konceptet. Ju mbillni një farë, një mendim dhe ai rritet. Fjala është si fara dhe mendja njerëzore është kaq pjellore! Problemi i vetëm është se më së shpeshti mendja ka pjellori më të madhe për farërat e frikës. Merrni shembullin e Hitlerit: Ai hodhi të gjitha farërat e frikës në mendjet e popullit të vet, dhe ato u rritën shumë shpejt dhe arritën deri aty sa të shkaktonin shkatërrime masive. Duke parë fuqinë e frikshme që ka fjala, ne duhet të kuptojmë se me çfarë fuqie e nxjerrim atë nga goja. Një frikë, apo një dyshim i mbjellë në mendjen tonë mund të krijojë një dramë të pafund ngjarjesh. Një fjalë është si një magji dhe njerëzit e përdorin fjalën si magjistarët e zinj, pa menduar se si ajo mund të shkaktojë ngëtërresa mes njëri-tjetrit.

Çdo njeri është një magjistar i fjalës dhe ne, me fjalën tonë mund ta magjepsim keq dikë, ose mund ta çlirojmë atë nga magjia. Gjithë kohën ne hedhim magji nëpërmjet mendimeve tona. Një shembull: Sapo shoh një të njohur dhe i jap atij një mendim që sapo vjen në mendjen time, duke iu shprehur dyshueshëm: “Hmmm! Kjo zbehtësia jote e  fytyrës më shqetëson shumë, sikur ju vuani nga ndonjë sëmundje e keqe.” Nëse dëgjuesi pajtohet me fjalën e keqhedhur ashtu kuturu ai ka të ngjarë që të sëmuret rëndë brenda vitit. E tillë është fuqia e fjalës.

Të jesh i patëmetë me fjalën tënde do të thotë të mos e përdorësh kurrë fjalën kundër vetes. Nëse ju shoh në rrugë dhe unë ju quaj budalla, duket se unë po e përdor fjalën kundër jush. Por në të vërtetë unë fjalën time po e përdor kundër vetëvetes time, sepse ju do të filloni të më urreni mua për këtë fjalë dhe urrejtja për mua nuk do të jetë diçka e mirë. Rrjedhimisht, nëse unë ndjehem i zemëruar dhe me fjalën time ju dërgoj juve tërë helmin tim emocional tek ju, atëherë i bie se po e përdor fjalën kundër vetvetes.

Nëse e dua veten, do ta shpreh atë dashuri në bashkëveprimin tim me ju, atëherë unë do të jem i patëmetë me fjalën, sepse ai veprim do të prodhojnë një reagim të ngjashëm. Nëse unë të dua ty, atëherë edhe ti do të më duash mua. Nëse unë të ofendoj ty, edhe ti do të më fyesh mua. Nëse unë shpreh mirënjohje ndaj jush, sigurisht që do të kem edhe mirënjohjen tuaj ndaj meje. Nëse unë jam egoist me ju, edhe ju do të jeni egoistë me mua. Nese unë përdor fjalën time për t’ju magjepsur ju, edhe ju do të synoni një magji për mua.

Fuqia e fjalës është keqpërdorur krejtësisht. Ne e përdorim fjalën për të mallkuar, për të fajësuar, për të gjetur fajtorin tek të tjerët, për të shkatërruar. Sigurisht, që e përdorim gjithashtu edhe në në mënyrë të drejtë, por kjo nuk ndodh shumë shpesh. Më së shumti fjalën e përdorim për të përhapur helmin tonë personal, për të shprehur zemërim, xhelozi, zili dhe urrejtje. Fjala është magji e pastër; ajo është dhurata më e fuqishme që kemi ne si njerëz; dhe, në fund të fundit, e përdorim atë kundër vetes. Ne planifikojmë hakmarrjen. Krijojmë kaos me fjalën. E përdorim fjalën për të ngjallur urrejtje ndërmjet racave, mes njerëzve të ndryshëm, ndërmjet familjeve, midis kombeve. E keqpërdorim aq shpesh fjalën, saqë ky keqpërdorim na bën që ta tërheqim tjetrin, ose ta mbajnë atë në gjendje frike dhe dyshimi. Sepse fjala është magjia që njerëzit posedojnë dhe keqpërdorimi i fjalës është tamam magji e zezë. Me keqpërdorimin e fjalës gjithë kohës, pa e ditur se fjala jonë është krejt magjike, ne përhapim magjinë e zezë.

Një shembull: Një grua inteligjente dhe shumë zemërmirë kishte një vajzë të cilën e donte shumë, madje deri në adhurim. Një natë gruaja kthehet në shtëpi e lodhur, plot tension dhe me një dhimbje koke të tmerrshme. Kishte kaluar në punë një ditë shumë të keqe. Në ato çaste ajo donte paqe dhe qetësi, por vajza e saj po këndonte dhe po kërcente për qejfin e saj. Vajza nuk e dinte aspak se si ndihej nëna e saj; ajo gjendej në botë e saj, në ëndrrën e saj. Ajo ndihej kaq e lumtur, kërcente dhe këndonte me zë të lartë, duke shprehur fort gëzimin e saj. Të kënduarit me zë të lartë ia bënte nënës së saj dhimbjen e kokës edhe më të rënduar. Në një çast të caktuar, nëna e humbi fare kontrollin. E shikoi me aq inat vajzën e saj të bukur të vogël, saqë arriti t’i thonte: “Mbylle, atë gojë! Ke një zë të shëmtuar, sa ma shpife!”

E vërteta është se toleranca e nënës për zhurmën ishte zero. Në të vërtetë nuk ishte zëri i vajzës së vogël që ia shpifi. Por, vajza e tronditur nga fjalët e nënës, (që kurrë nuk i kishte folur në atë mënyrë), e besoi plotësisht atë që i tha e ëma! Gjithçka ndryshoi te vetja e saj. Në atë çast ajo bëri marrëveshje me veten: të mos këndonte kurrë më! Ajo e besoi faktin se zërin e kishte të shëmtuar dhe që shqetësonte këdo që do ta dëgjonte. Në shkollë u bë e turpëruar dhe, kur i kërkohej që të këndonte, ajo nuk pranonte kurrësesi. Edhe bashkëbisedimi me të tjerët u bë tejet i vështirë. U bë e mbyllur në vetvete. Çdo gjë ndryshoi te vajza e vogël, pikërisht për shkak të marrëveshjejes së re: ajo besonte se duhet t’i shtypte emocionet e veta në mënyrë që të bëhej e pranueshmë dhe që ta duan.

Sa herë që dëgjojmë një mendim dhe e besojmë atë, ne bëjmë një marrëveshje të re dhe kjo bëhet pjesë e sistemit tonë të besimit. Ajo vajzë e vogël u rrit dhe, edhe pse kishte një zë të bukur, ajo kurrë nuk këndoi më. Tek ajo u krijua një kompleks i tërë nga ajo magjia e fjalës së nënës së saj, e thënë në një çast dëshpërimi dhe vuajtje. Kjo magji u hodh mbi të pikërisht nga ajo, që e donte më shumë: nga nëna e saj. Nëna e saj nuk e vuri re atë që bëri me fjalën e saj të hedhur në një çast mllefi. Ajo nuk e kuptoi se me atë fjalë ajo përdori mbi vajzën e saj të dashur magjinë e zezë. Ajo nuk e dinte dhe nuk e kuptoi kurrë fuqinë që pati fjala së saj dhe për këtë ajo nuk duhet të fajësohet. Ajo bëri atë që nëna e saj, babai dhe të tjerët ia kishin bërë edhe asaj në shumë mënyra. Ata e kishin keqpërdorur fjalën; dhe ajo ashtu bëri me fëmijën e vet.

Sa herë e bëjmë këtë edhe në me fëmijët tanë apo familjarët tanë? Edhe ne u shprehim atyre mendime të tilla dhe kështu, pa dashur ato bartin magjinë e zezë për vite e vite të tëra. Njerëzit që na duan shpesh na bëjnë magji të zezë, ngaqë nuk e dinë se çfarë po bëjnë me fjalën e tyre. Kjo është arsyeja pse ne duhet t’i falim ata; ata nuk e dijnë se çfarë po bëjnë!

Nëse ne miratojmë marrëveshjen – të jesh i patëmetë me fjalën tënde, dhe bëhemi të tillë, të patëmetë në fjalën tonë, çdo helm emocional do të pastrohet përfundimisht nga mendja jonë dhe nga komunikimi ynë në marrëdhëniet personale me të tjerët, madje edhe me kafshët tona shtëpiake.

E patëmeta e fjalës tuaj do t’ju japë nga ana tjetër imunitet edhe nga dikush që synon t’ju bëjë magji negative. Ju do të merrni ide negative vetëm nëse mendja juaj është tokë pjellore për ide të tilla. Kur bëhesh i patëmetë me fjalën tënde, mendja juaj nuk shërben më si terren pjellor për fjalë që vijnë nga magjia e zezë. Në vend të tyre, mëndja juaj bëhet pjellore vetëm për fjalët që vijnë nga dashuria. Ju mund ta matni pastërtinë e fjalës tuaj sipas nivelin tuaj të sedrës. Sa ju e doni veten dhe si ju mendoni për veten tuaj këto janë në përpjestim të drejtë me cilësinë dhe integritetin e fjalës suaj. Kur je i patëmetë me fjalën tënde, ju ndjeheni mirë; ju ndjeheni të lumtur dhe në paqe.

Ji i patëmetë me fjalën tënde. Kjo është marrëveshja që duhet të adoptoni, nëse doni që të jeni të lirë; nëse ju doni që të jeni të lumtur; nëse ju doni që  të tejkaloni nivelin e ekzistencës nga ferri. Kjo marrëveshje është shumë e fuqishme. Përdoreni fjalën në mënyrë korrekte. Përdoreni fjalën për të ndarë dashurinë tuaj. Përdoreni magjinë e bardhë, duke filluar nga vetvetja. Thojani vetes se sa i lumtur jeni, se sa i madh jeni. Tregojani vetes se sa shumë e doni vetveten. Përdorni fjalën për të thyer të gjitha ato vështirësi, ato marrëveshje të vogla që ju bëjnë juve të vuani.

Burimi: Marrëveshjet Logjike – Don Miguel Ruiz

Empower Teamhttp://www.empowermag.al
Empower Team kujdeset të publikojë artikuj të përzgjedhur që i shërbejnë 100% karrierës, rritjes personale dhe zhvillimit profesional.

Must Read

Fjala ju fuqizon ose ju fundos! Si të jeni të patëmetë me fjalët tuaja?

Fjala nuk është thjesht një tingull, apo një simbol i shkruar. Fjala është forcë; ajo është fuqia që ju keni për të shprehur dhe...

Të menduarit pozitivisht, një faktor kryesor për arritje personale

A po të pengon në rrugën tënde drejt suksesit një qëndrim mendor negativ? Nëse po, është koha të ndryshosh. Personi që mendon negativisht e...

Si të fuqizojmë vendosmërinë dhe kreativitetin duke qëndruar të frymëzuar

Frymëzimi është në thelb të suksesit personal dhe profesional. Një njeri pa frymëzim nuk mund të arrijë rezultate të mëdha. Frymëzimi ju ndihmon të...

5 strategji efektive që ju ndihmojnë të arrini sukses personal

Lisa Stephenson, autore e librit “Read Me First” dhe themeluese e kompanisë ndërkombëtare të konsulencës “Who Am I Projects” rekomandon 5 mënyra që ju...

Fuqia për të ndikuar është faktor kyç i suksesit në karrierë

Shumë njerëz mendojnë se ndikimi apo influenca ka të bëjë vetëm me shitjet apo marketingun. Në fakt, në çdo pozicion pune, ndikimi nevojitet për...

Azhornohuni në kohë reale me artikujt më të rinj!

Empower Magazine Albania ka një kujdes të vecantë rreth tematikave që trajtohen. Na ndiqni dhe do ta kuptoni!